

Mësimdhënësit e Universitetit trajnohen për arritjen e qëllimeve strategjike arsimore duke përfshirë konceptin e rezultateve të të nxënit.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, në bashkëpunim me Projektin HERAS Plu, ka organizuar trajnim njëditor për arritjen e qëllimeve strategjike arsimore duke përfshirë konceptin e rezultateve të të nxënit, e drejtuar nga znj. Katja Žibert Kamšek, eksperte ndërkombëtare e HERAS Plus.
Prof. Ass. Dr. Arsim Susuri, Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë theksoi se ky trajnim është shumë i rëndësishëm për stafin e universitetit dhe e falënderoi Projektin HerasPlus për mbështetje.
Zt. Nehat Dervishi Koordinator në këtë projekt theksoi se ata vazhdojnë të jenë në funksion të zhvillimit të sektorit të arsimit të lartë në Kosovë dhe në këtë kuadër do të vazhdojnë mbështetjen për zhvillimin e kapaciteteve institucionale edhe të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Pjesëmarrësit nga radhët e stafit akademik të Universitetit janë trajnuar për të përmirësuar hartimin e rezultateve të të nxënit të programeve dhe lëndëve të studimit. Këto përmirësime do t’u mundësojnë studentëve të zhvillojnë aftësi më komplekse, si zgjidhja e problemeve, hartimi i ideve, etj. Për rrjedhojë, programet e studimit do të bëhen më tërheqëse dhe të diplomuarit do të jenë më të aftë për të adresuar sfidat që do të përballen në të ardhmen.
Ky trajnim ka ofruar gjithashtu mundësi sesi mësimdhënësit mund të planifikojnë metodat e mësimdhënies, të nxënit dhe vlerësimit sipas rezultateve të të nxënit, në mënyrë që studentët të kenë një shans më të madh për t’i zhvilluar këto aftësi.
Së fundi, trajnimi ka dhënë disa njohuri se si mekanizmat e sigurimit të cilësisë mund të ndihmojnë për të siguruar që rëndësia e rezultateve të të nxënit kontrollohet dhe përditësohet rregullisht dhe se metodat e mësimdhënies, të nxënit dhe vlerësimit vlerësohen dhe përditësohen vazhdimisht për të mbështetur më së miri studentët në zhvillimin e aftësive të synuara.