

U.d. Rektori Krrabaj takoi koordinatorin e TIKA-s Cihan Dinçer
Prof. Asoc. Dr. Samedin Krrabaj, u.d. Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, u takua sot me koordinatorin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për Kosovë, z. Cihan Dinçer. Rektori Krrabaj, falënderoi z. Dinçer për ndihmën e vazhdueshme që kjo agjenci ofron për Universitetin, si dhe ofroi gatishmëri për vazhdim të bashkëpunimit. Temë e diskutimit ishte edhe mundësia e mbështetjes së TIKA-s për procesin e digjitalizimit të shërbimeve në Universitet.
Në takim, përveç Rektorit Krrabaj, morën pjesë edhe Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Arsim Susuri, Prof. Asoc. Dr. Elsev Brina Lopar, si dhe asistentja e koordinatorit të TIKA-s, znj. Aylin Özçiftci.
Rektori Krrabaj dhe Prorektori Susuri i sqaruan z. Dinçer detajet teknike të projektit për ndërtim të një qendre të të dhënave në Universitet. Kjo qendër e të dhënave është e domosdoshme duke marrë parasysh evoluimin e teknologjisë dhe duke u mbështetur në planin strategjik ku parashikohen shumë pjesë për digjitalizimin dhe plotësim të standardeve, që janë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Për këtë qëllim, ka një kërkesë urgjente për të investuar në infrastrukturën e Teknologjisë së Informacionit (TI).
Për të përmirësuar vazhdimisht shërbimet e studentëve dhe për të qenë në përputhje me përparimet teknologjike, Universiteti duhet të ndërtojë një qendër të dhënash që do të ofronte një grup të plotë shërbimesh dixhitale për studentët dhe stafin e Universitetit.
Kjo qendër e të dhënave do të rriste shumë aftësinë e Universitetit për të qenë më kompetent në pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare. Do t’i mundësonte Universitetit të digjitalizonte plotësisht procesin e provimit, do t’i ofronte Universitetit mundësinë për të ofruar një infrastrukturë për leksione të përziera për profesorët vizitorë (mësim fizik dhe online).
Do të përmirësonte më tej aftësinë e Universitetit për të krijuar një sistem të brendshëm për shërbimet elektronike të studentëve, duke eliminuar kështu nevojën për kontraktim të jashtëm (siç është rasti aktualisht).
Vlera e parashikuar e investimeve pritet të jetë rreth 150.000 €.
Koordinatori i TIKA-s premtoi vazhdim të mbështetjes për Universitetin si dhe shqyrtimin sa më të shpejtë të kësaj kërkesë. Të dyja palët u dakorduan për vazhdim dhe thellim të bashkëpunimit.